Friday, January 20, 2017

CILI ËSHTË OBLIGIMI MË I MADH PREJ TË GJITHA OBLIGIMEVE NË FENË ISLAME?

ARGUMENTET E
TEUHIDIT


Të gjitha falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të Gjithësisë, Zoti i Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait (Jezusit) dhe Muhammedit. Paqja dhe bekimet e Allahut qoftë mbi të gjithë ata.

Aspekti më i rëndësishëm i Fesë Islame dhe baza e tij më e madhe është thirrja për në adhurimin e Allahut, Zotit të Madhërishëm, Një të vetëm pa i bërë Atij shok në çdo aspekt të adhurimit -TEUHIDI-. Ishte -TEUHIDI- pika e fillimit të thirrjes së të Dërguarve nga Nuhu, Ibrahimi te Musai, Isai (Jezusi) dhe në fund Muhammedi –sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem-.

Allahu i Madhërishëm thotë:

"Ne kemi çuar te çdo Ummet (popull, komb) të Dërguar (duke shpallur): “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg Tagutit (gjithçka që adhurohet përveç e përkrah Allahut)" (Ku’rani 16:36)


CILI ËSHTË OBLIGIMI MË I MADH PREJ TË GJITHA OBLIGIMEVE NË FENË ISLAME?

ADHURIMI I ALLAHUT TË VETËM (TEUHIDI)

Ne shpeshherë pyetemi: "Çfarë është halli me ju o njerëz që ju gjithmonë flisni rreth Teuhidit duke shkruar dhe mbajtur mësime dhe ligjërata të gjata në lidhje me të? Përkundrazi pse ju nuk përqëndroheni mbi gjendjen e Muslimanëve? A nuk po e shihni ju sesi po shtypen Muslimanët anë e mbanë botës? A nuk ka gjëra më të rëndësishme për të folur?"

Si përgjigje, ne u themi: Së pari. Teuhidi është të veçosh Allahun, të vetëm me adhurim, dhe kjo është baza më madhe e fesë Islame. Pra, ti japësh rëndësi Teuhidit, është ti japësh rëndësinë e vërtetë bazës më të madhe të Fesë Islame. Kur njerëzit e nënvleftësojnë Teuhidin dhe kuptimin e tij të vërtetë, dhe e kundërshtojnë për atë çfarë qëndron, fatkeqësitë bien mbi ta. Nëse ne do të meditojmë Kur'anin dhe atë çfarë përmban ai si udhëzim, ne gjejmë se ai e sqaron plotësisht Teuhidin; aq shumë saqë nuk ka asnjë kapitull në Kur'an përveçse përmendet diçka nga aspektet e Teuhidit dhe bën të qartë atë çfarë bie në kundërshtim me të.

Pra, në Kur’an ne gjejmë informacion në lidhje me Emrat dhe Cilësitë e Allahut, ose gjejmë informacion në lidhje me veprat e Allahut se Ai është Zotëruesi, Krijuesi, Furnizuesi dhe Kontrolluesi i gjithë asaj që ekziston.

Në Kur’an ne gjejmë urdhrin e Allahut për t’a adhuruar Atë të vetëm, pa i shoqëruar Atij shok në adhurim.

Në Kur’an gjithashtu gjejmë ajete që paralajmërojnë për rrezikun e madh të të bërit  shok Allahut në adhurim (shirk) dhe ndalimin absolut të adhurimit të dikujt tjetër përveç Tij. Dhe ky veprim (shirku) është prej gjynaheve më të mëdha. Përveç kësaj, ne gjejmë në Kur’an urdhërin e Allahut që t’i bindemi Atij dhe të Dërguarit të Tij -Muhammedit - dhe kjo është prej të drejtave të Teuhidit.
Allahu i përshkruan shpërblimet që ka përgatitur për ata që janë të kapur me Teuhid, se ata do të jenë në kopshte të përjetshme në Xhennet, ndërsa përshkruan dënimin dhe vuajtjet të  cilat Ai i ka përgatitur për ata që e mohojnë Teuhidin dhe i bëjnë Atij shok në adhurim, se ata do të jenë në Zjarr të Xhehnnemit përgjithmonë. Kështu, pra, i gjithë Kur'ani sillet rreth kësaj çështje themelore -Teuhidit-.

Vërtetë, nëse ne do shikojmë në jetën e Profetit Muhammed do gjejmë se ai kaloi trembëdhjetë vjet të Profetësisë së tij në Meke dhe dhjetë apo më shumë në Medine. Periudhën që ai ishte në Meke, ai e kaloi duke thirrur njerëzit në adhurimin e Allahut të vetëm dhe duke i paralajmëruar ata nga shoqërimi i të tjerëve në adhurim me Të. Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë shpallje për obligimin e zekatit, agjërimit, haxhit, mbulesës, ndëshkimet e përcaktuara dhe as pjesë të tjera prej obligimeve dhe ndalimeve apo çeshtjeve në lidhje me ndërveprimet shoqërore, përkundrazi këto dispozita janë shpallur të gjitha pas migrimit në Medine. Përjashtim i dukshëm është namazi i cili është bërë obligim pak para migrimit të Dërguarit , nga Meka në Medine. Pra, mund të shihet qartë rëndësia e madhe që Allahu dhe i Dërguari i Tij Muhammedi i dhanë thirrjes në Teuhid dhe thirrjes për braktisjen e adhurimit të gjithçkaje që adhurohet përveç Allahut. Shkaku për këtë theksim të madh mbi Teuhidin është pozita e lartë që ka në Fenë Islame.

Pra, si fillim ishte Teuhidi i cili u rrënjos thellë në zemrat e besimtarëve, pastaj Allahu zbriti pjesën tjetër të obligimeve si zekati, agjërimi, haxhi dhe mbulesa. Dhe kjo për arsye se asnjë nga këto vepra të jashtme të adhurimit nuk pranohen nga Allahu nëse nuk janë të ndërtuara mbi Teuhid.

Ishte ky qëllimi madhështor -thirrja e njerëzimit për në Teuhid- për të cilin Allahu i dërgoi të Dërguarit e Tij -alejhimusselam-, dhe secili prej tyre e filloi thirrjen e tij me Teuhid ashtu siç ka thënë Allahu i Madhërishëm:

‘‘Dhe me të vërtetë që Ne kemi çuar te çdo Ummet (popull) të Dërguar (duke shpallur): ‘‘Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe rrini larg Tagutit (gjithçka që adhurohet përvç e përkrah Allahut)’’’’ (16:36)

Dhe:

“Ne nuk kemi çuar ndonjë të Dërguar para teje (o Muhammed) e që të mos e kemi frymëzuar Ne (duke i thënë): La ilahe il-la Ene (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje -Allahu), kësisoj më adhuroni Mua të Vetëm (e askënd tjetër).’’ (21:25)

Dhe çdo i Dërguar i ka thënë popullit të tij:

“O populli im ! Adhuroni Allahun ! Nuk keni Ilah (të adhuruar, perëndi) tjetër veç Atij.’’ (7:59)

Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që ndjekin rrugën e të Dërguarve. Ata gjithashtu i japin Teuhidit rëndësinë që meriton dhe për këtë ata e fillojnë thirrjen e tyre me Teuhid.
Vërtetë qëllimi i krijimit tonë është terësisht i lidhur me adhurimin e Allahut, ashtu siç thuhet në Kur’an:

"Dhe Unë -Allahu- nuk i krijova xhindët dhe njerëzit, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua." (51:56)

Pra, nëse dikush nuk e adhuron Zotin dhe Krijuesin e tij - Allahun-, ose ai adhuron të tjerë përkrah Allahut, atëherë ai ka mohuar Teuhidin dhe ka kryer mëkatin më të madh tek Allahu.

Ka një keqkuptim të madh në mesin e shumë Muslimanëve dhe jo-Muslimanëve. Ata mendojnë se Teuhidi është thjesht për të afirmuar dhe njohur Zotërimin e Allahut, -sh.p: se Ai është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi, Mbrojtësi, Dhënësi jetës dhe vdekjes dhe Mbikqyersi Universit-, dhe ata pretendojnë se kushdo që pohon dhe e pranon këtë, e ka nënshtruar veten  ndaj Allahut dhe është besimtar Musliman.

Ky nocion i rremë e kufizon Teuhidin vetëm në veprat e Allahut. Ai është propaganduar - dhe vazhdon- në mënyrë aktive nga disa sekte muslimane. Ata nuk e dinë se Teuhidi që Allahu ka kërkuar nga secili prej Profetëve të Tij, si Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhammedi -Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata - ishte Teuhidi në veçimin e Allahut me gjithë llojet e adhurimit. Edhe idhujtarët në kohën e Profetit pohuan se Allahu është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi, Dhënësi i jetës dhe vdekjes, por ata ia atribuan adhurimin të tjerëve pos Tij. Pra, thjesht pohimi dhe njohja e një Zoti dhe Krijuesi nuk u bëri atyre dobi. Allahu, i Lartësuar, thotë në lidhje me këtë:

‘‘Thuaju (O Muhammed): ‘‘Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka ? Dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit ? Dhe kush e nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla ? Dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve? ’’Do të thonë të gjithë, ‘‘Allahu.’’ Thuaju: ‘‘A nuk do të keni atëherë frikë nga Ndëshkimi i Allahut (për ata që i bashkoni Atij në adhurim)?’’ (10:31)

Pra, pika e mosmarrëveshjes mes të Dërguarit të Allahut, Muhammedit dhe adhuruesve të idhujve dhe varreve nuk ishte për shkak të mohimit të tyre se Allahu është Zoti dhe Krijuesi, por për shkak se ata refuzonin për ta drejtuar adhurimin e tyre ndaj Allahut, ose ata e ndanin adhurimin e tyre mes Allahut dhe idhujve të tyre e të vdekurve. Mirëpo kjo pikë është neglizhuar nga shumë sekte bashkëkohore në Fënë Islame.

Disa muslimanë dhe hoxhallarë në këto kohë në mënyrë të gabuar thonë: se ata që u luten të vdekurve në varret e tyre dhe që kërkojnë ndihmë dhe shpëtim prej tyre nuk kanë kryer vepër politeizmi (Shirk), sepse ata nuk besojnë se të vdekurit krijojne, apo kontrollojnë universin dhe për sa kohë që ata nuk e besojnë këtë, atehere keta hoxhallare nuk i konsiderojnë veprat e tyre  idhujtari. Ata pretendojnë se këto gjëra që ata iu luten përkrah Allahut, qofshin ata Profetë, Melaike, Eulija dhe të tjerë, janë thjesht vetëm ndërmjetësues për ndërmjetësim mes tyre dhe Allahut.

Ata pohojnë në shkrimet dhe ligjëratat e tyre se: "Ne vetëm u lutemi eulijave dhe profetëve, sepse ata janë ndërmjetësues për ndërmjetësim mes nesh dhe Allahut,"

Themi se ky pretendim i tyre është i njëjtë me pretendimin e idhujtarëve në kohën e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit . Allahu thotë në Kur’an se politeistët thanë për idhujt e tyre:

"Ne i adhurojmë ata vetëm që ata të mund të na afrojnë tek Allahu." (39:3)

Dhe Allahu i lartësuar, tha për idhujtarët:

‘‘Dhe -ata- adhurojnë në vend të Allahut gjëra që as i dëmtojnë dhe as u sjellin dobi dhe thonë: ‘‘Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.’’(10:18)

Në këtë kohë ne gjejmë Muslimanë që bien në këto mëkate, e që janë mëkate prej mëkateve më të mëdha, dhe ata thonë: "Lutjet tona tek varret dhe lidhja jonë me të vdekurit duke kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e tyre nuk është politeizëm, por është një formë për tu afruar te Allahu, dhe ne nuk kërkojmë prej tyre vetëm se ndërmjetësimin, sepse ata janë eulija të Allahut. Dhe ata nuk janë asgjë me shumë se ndërmjetësues. Dhe kjo nuk është shirk (politeizëm), pasi shirk është të besosh se ka një krijues ose mbikqyrës tjetër pos All-llahut."

Ne duhet të kuptojmë se kjo thënie e tyre është identike e njëjtë me atë të politeistëve të vjetër sikurse e përmendëm në ajetet e mësipërme Kur’anore.

Një tjetër dyshim që ne ndonjëherë dëgjojmë është: "Kjo që ne ju lutemi të vdekurve dhe kërkojmë ndihmë prej tyre, nuk do të thotë që ne po i adhurojmë ata" Atëherë kjo thënie e tyre është në kundërshtim me ajetet Kur’anore.

Allahu thotë:

‘‘Dhe vërtetë që xhamitë janë për Allahun (të Vetëm), kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun.’’ (72:18)

Allahu thotë:

‘‘Dhe kushdo që lut (ose adhuron) në vend të Allahut çdo ilah (zot) tjtër për të cilin nuk ka asnjë prove, atëherë llogaria e tij është vetëm te Zoti i tij.Vërtetë që Kafirët (mohuesit e Njësisë së Allahut, politeistët, paganët) nuk do të kenë kurrë sukses’’ (23:117)

 Pra, ne jemi të urdhëruar t’ia kushtojmë të gjitha aktet e adhurimit tonë vetëm Allahut, dhe kjo është për shkak se Ai është Krijuesi i Vetëm, Furnizuesi, Dhënësi i jetës dhe vdekjes.

Allahu thotë:

‘‘O njerëz ! Adhuroni Allahun, Zotin tuaj, i Cili ju krijoj ju dhe ata që qenë para jush, që të mund të bëheni të përkushtuar (El-Muttekunë). I Cili e ka bërë tokën vend pushimi për ju dhe qiellin me kupë si mbulesë duke dërguar që andej ujë për të prodhuar fruta si furnizim për ju. Atëherë pra, mos i vini shokë Allahut (në adhurim) kur ju e dini (se vetëm Ai ka të drejtë të adhurohet e askush tjetër).’’(2:21-22)

Ky ajet shfaqet shumë herët në Ku’ran dhe përmban urdhrin e parë të drejtpërdrejtë për njerëzimin. Dhe ky urdhër i drejtohet gjithë njerëzimit për ta adhuruar vetëm Atë si Zot dhe Krijues të tyre, të vetëm pa i shoqëruar Atij asnjë shok. Ky ajet përmend disa nga veprimet e Allahut, dhe këto veprime përbëjnë Sundimin dhe Zotërimin e Tij të vetëm, dhe janë këto vepra të Zotit tonë që përcaktojnë arsyen se pse ne duhet ta adhurojmë vetëm Atë, pa partnerë apo bashkëpunëtorë.
Pra, ne e adhurojmë dhe i lutemi vetëm Atij -Allahut- dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë, shpëtim, strehim, pasi ato hyjnitë e tjera që thirren nuk na kanë krijuar ne dhe as nuk na mbështesin dhe as që na dërgojnë shiun dhe as nuk na i sjellin të lashtat. Atëherë, pse ne duhet të kërkojmë ndihmën e Profetit për ndihmë ose ndërmjetësim, kur ne mund t’i lutemi Atij që e krijoi atë?
Përse o njerëz t’i drejtojmë lutje eulijave, banorëve të varreve, melaikeve apo xhindëve, kur ne mund t’i lutemi Atij që i krijoi ata? Vërtetë Allahu ka urdhëruar në Kur'an që ne të mos i kërkojmë dhe lutemi askujt tjetër përveç Tij.

Allahu thotë: Dhe Zoti juaj thotë:

‘‘M’u lutni Mua (më adhuroni Mua Një të Vetëm dhe kërkëni ç’të doni vetëm tek Unë), Unë do t’ju përgjigjem (për lutjet që më bëtë Mua). Me të vërtetë se ata të cilët e përbuzin adhurimin ndaj Meje (nuk më luten Mua, nuk më besojnë vetëm Mua një e të Vetëm, nuk besojnë në Fenë Time, në Islam), ata padyshim që do të hyjnë në Xhehennem me poshtërim!’’(40:60).

Dhe Allahu thotë në një ajet tjetër:

‘‘Dhe nga shenjat e Tij janë nata dhe dita edhe dielli dhe hëna. Mos u bini në sexhde (në adhurim) as diellit e as hënës, por bini në sexhde (në adhurin e me nënshtrim) vetëm ndaj Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtet që adhuroni Atë.’’ (41:37)

Ky ajet sqaron se veprat e dukshme të adhurimit sikurse sexhdeja dhe rukuja janë e  drejtë vetëm e Allahut, dhe nuk janë për t’iu drejtuar as diellit, hënës, melaikeve, profetëve, varreve ose paraardhësve të dikujt. Profeti Muhammed në mënyrë të specifikuar ka thënë:

"Mos e merrni varrin tim si një vend adhurimit." (Buhari - Muslim)

Adhurimi në fenë Islame përfshin të gjitha ato vepra që Allahu i do dhe është i kënaqur me to, si fjalë dhe vepra, qofshin të brendshme në zemër ose të jashtme në gjuhë dhe gjymtyrë. Pra, ne jemi urdhëruar t’ia drejtojmë të gjitha adhurimet tona vetëm Allahut. Muslimani, i cili është obliguar për t'u falur pesë herë në ditë, dëshmon në çdo rekat të namazit të tij:

“Vetëm Ty (O Allah) të adhurojmë dhe Vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).” (1:5)

Profeti ka thënë:

"Du’aja (lutja) është prej adhurimit."(trs, Ebu Davudi në Sunan).

Gjithashtu prej adhurimit është që të kesh besim dhe mbështetje të plotë te Allahu, kështu që Feja Islame e ndalon mbështetjen në hajmalitë dhe simbolet për fat të mirë, besëtytnitë dhe falltorët, sepse të gjitha këto çështje anullojnë plotësisht mbështetjen dhe besimin në Allahun. Si Muslimanë ne besojmë se Allahu është Kontrolluesi i çdo gjëje, dhe: 

‘‘Asnjë fatkeqësi nuk bie, por vçse me Lejen e Allahut dhe kushdo që beson Allahun, Ai e udhëzon zemrën e tij. Dhe Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.’’ (64:11).

Mbajtja e hajmalive është ndaluar nga Profeti , në thënien e tij:

"Kush mbart hajmali ka bërë Shirk." (trs Ahmed në el-Musned).

Dhe është transmetuar se një nga shokët e Profetit , Hudhejfeh (Allahu qoftë i kënaqur me të) pa një burrë që mbante në krahun e tij një bylyzyk si mbrojtje nga ethet, atëherë ia hoqi dhe ia preu atë. (trs. Ibn Ebi Hatim në Tefsirin e tij). Pra, nga ajo që kemi përmendur më lart, kuptojmë se neve nuk na lejohet që të shkelim asnjë prej të drejtave që i takojnë Allahut. Për shembull, nuk i lejohet askujt të pretendojë që ka dijeni për të fshehtën dhe të ardhmen, sepse i Dituri i të fshehtës është vetëm Allahu. Kështu që nuk lejohet për të shkuar tek magjistarët dhe fallxhorët apo astrologët dhe lexuesit e filxhanëve.

Profeti Muhammed , ka thënë:

"Kush shkon tek një fallxhor ose magjistar dhe e beson për atë që ai thotë, në të vërtetë ka mohuar atë që i është zbritur Muhammedit ." (Ebu Davudi 3904)

Dhe pikërisht për këtë, Allahu thotë:

‘‘Dhe vetëm me Të (Allahun) janë çelësat e Gajbin (gjithçka të fshehtë e të panjohur), askush nuk i di përveç Atij.” (6:50)

Dhe:

‘‘Vërtetë që Allahu ! Vetëm tek Ai është dija e Orës (e Kiametit) ; Ai zbret shiun dhe di se çfarë ka në mitra. Askush nuk e di se ç’do të fitojë e ç’do t’i ndodhë nesër dhe askush nuk e di se në ç’tokë (ç’vend) do të vdesë. Me të vërtetë që Allahu është i Gjithëditur, i Mirënjohur (për çdo gjë).’’ (31:34). -Elhamdulil-llah-.

-Prej këtij diskutimi të shkurtër, lexuesi mund të kuptojë pse Selefitë -Ehlus-Sunneh uel Xhema’ah- i japin kaq shumë rëndësi dhe pozitë Teuhidit. Teuhidi është të veçosh Allahun, të vetëm me adhurim me gjithë llojet e adhurimit, dhe ndalimin absolut të adhurimit të dikujt tjetër përveç Tij.

I Dërguari Allahut, Profeti Muham-med ka thënë:
”E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ata ta veçojnë Atë të vetëm me adhurim dhe kurrë të mos i shoqërojnë Atij dikë tjetër në adhurim’’


Përmblodhi: Abu Khadeejah Abdul-Wahid -hafidhahullaah- mësues në Selefi Mesxhid Birmingam Twitter @AbuKhadeejahSP
Përshtati me lejen e autorit: Abu Yusuf al-Albani –Arbrit Kraja- Twitter @Arbrit_Kraja

Shkodër 18 Rabi’ al-Thani 1438 AH. 15.1.2017

Për më shumë informacion vizitoni: | Esselefussalih.com TawhidFirst.Com | Aqidah.Com | Abukhadeejah.com | SalafiBookstore.com  | Salaf.com | Troid.ca | SalafiSound.Com | Sharia.ws |


Ky material printohet dhe shpërndahet nga Mesxhid ‘UTHMAN IBN AF-FAN’ (Shoqata Edukimi) Shkodër. Nuk lejohet botimi apo printimi i këtij materiali pa lejen paraprake të përkthyesit. e-mail: jusufal-albani@hotmail.com

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.