Friday, January 20, 2017

CILI ËSHTË OBLIGIMI MË I MADH PREJ TË GJITHA OBLIGIMEVE NË FENË ISLAME?

ARGUMENTET E
TEUHIDIT


Të gjitha falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të Gjithësisë, Zoti i Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait (Jezusit) dhe Muhammedit. Paqja dhe bekimet e Allahut qoftë mbi të gjithë ata.

Aspekti më i rëndësishëm i Fesë Islame dhe baza e tij më e madhe është thirrja për në adhurimin e Allahut, Zotit të Madhërishëm, Një të vetëm pa i bërë Atij shok në çdo aspekt të adhurimit -TEUHIDI-. Ishte -TEUHIDI- pika e fillimit të thirrjes së të Dërguarve nga Nuhu, Ibrahimi te Musai, Isai (Jezusi) dhe në fund Muhammedi –sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem-.

Allahu i Madhërishëm thotë:

"Ne kemi çuar te çdo Ummet (popull, komb) të Dërguar (duke shpallur): “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg Tagutit (gjithçka që adhurohet përveç e përkrah Allahut)" (Ku’rani 16:36)


CILI ËSHTË OBLIGIMI MË I MADH PREJ TË GJITHA OBLIGIMEVE NË FENË ISLAME?

ADHURIMI I ALLAHUT TË VETËM (TEUHIDI)

Ne shpeshherë pyetemi: "Çfarë është halli me ju o njerëz që ju gjithmonë flisni rreth Teuhidit duke shkruar dhe mbajtur mësime dhe ligjërata të gjata në lidhje me të? Përkundrazi pse ju nuk përqëndroheni mbi gjendjen e Muslimanëve? A nuk po e shihni ju sesi po shtypen Muslimanët anë e mbanë botës? A nuk ka gjëra më të rëndësishme për të folur?"

Si përgjigje, ne u themi: Së pari. Teuhidi është të veçosh Allahun, të vetëm me adhurim, dhe kjo është baza më madhe e fesë Islame. Pra, ti japësh rëndësi Teuhidit, është ti japësh rëndësinë e vërtetë bazës më të madhe të Fesë Islame. Kur njerëzit e nënvleftësojnë Teuhidin dhe kuptimin e tij të vërtetë, dhe e kundërshtojnë për atë çfarë qëndron, fatkeqësitë bien mbi ta. Nëse ne do të meditojmë Kur'anin dhe atë çfarë përmban ai si udhëzim, ne gjejmë se ai e sqaron plotësisht Teuhidin; aq shumë saqë nuk ka asnjë kapitull në Kur'an përveçse përmendet diçka nga aspektet e Teuhidit dhe bën të qartë atë çfarë bie në kundërshtim me të.

Pra, në Kur’an ne gjejmë informacion në lidhje me Emrat dhe Cilësitë e Allahut, ose gjejmë informacion në lidhje me veprat e Allahut se Ai është Zotëruesi, Krijuesi, Furnizuesi dhe Kontrolluesi i gjithë asaj që ekziston.

Në Kur’an ne gjejmë urdhrin e Allahut për t’a adhuruar Atë të vetëm, pa i shoqëruar Atij shok në adhurim.

Në Kur’an gjithashtu gjejmë ajete që paralajmërojnë për rrezikun e madh të të bërit  shok Allahut në adhurim (shirk) dhe ndalimin absolut të adhurimit të dikujt tjetër përveç Tij. Dhe ky veprim (shirku) është prej gjynaheve më të mëdha. Përveç kësaj, ne gjejmë në Kur’an urdhërin e Allahut që t’i bindemi Atij dhe të Dërguarit të Tij -Muhammedit - dhe kjo është prej të drejtave të Teuhidit.
Allahu i përshkruan shpërblimet që ka përgatitur për ata që janë të kapur me Teuhid, se ata do të jenë në kopshte të përjetshme në Xhennet, ndërsa përshkruan dënimin dhe vuajtjet të  cilat Ai i ka përgatitur për ata që e mohojnë Teuhidin dhe i bëjnë Atij shok në adhurim, se ata do të jenë në Zjarr të Xhehnnemit përgjithmonë. Kështu, pra, i gjithë Kur'ani sillet rreth kësaj çështje themelore -Teuhidit-.

Vërtetë, nëse ne do shikojmë në jetën e Profetit Muhammed do gjejmë se ai kaloi trembëdhjetë vjet të Profetësisë së tij në Meke dhe dhjetë apo më shumë në Medine. Periudhën që ai ishte në Meke, ai e kaloi duke thirrur njerëzit në adhurimin e Allahut të vetëm dhe duke i paralajmëruar ata nga shoqërimi i të tjerëve në adhurim me Të. Gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë shpallje për obligimin e zekatit, agjërimit, haxhit, mbulesës, ndëshkimet e përcaktuara dhe as pjesë të tjera prej obligimeve dhe ndalimeve apo çeshtjeve në lidhje me ndërveprimet shoqërore, përkundrazi këto dispozita janë shpallur të gjitha pas migrimit në Medine. Përjashtim i dukshëm është namazi i cili është bërë obligim pak para migrimit të Dërguarit , nga Meka në Medine. Pra, mund të shihet qartë rëndësia e madhe që Allahu dhe i Dërguari i Tij Muhammedi i dhanë thirrjes në Teuhid dhe thirrjes për braktisjen e adhurimit të gjithçkaje që adhurohet përveç Allahut. Shkaku për këtë theksim të madh mbi Teuhidin është pozita e lartë që ka në Fenë Islame.

Pra, si fillim ishte Teuhidi i cili u rrënjos thellë në zemrat e besimtarëve, pastaj Allahu zbriti pjesën tjetër të obligimeve si zekati, agjërimi, haxhi dhe mbulesa. Dhe kjo për arsye se asnjë nga këto vepra të jashtme të adhurimit nuk pranohen nga Allahu nëse nuk janë të ndërtuara mbi Teuhid.

Ishte ky qëllimi madhështor -thirrja e njerëzimit për në Teuhid- për të cilin Allahu i dërgoi të Dërguarit e Tij -alejhimusselam-, dhe secili prej tyre e filloi thirrjen e tij me Teuhid ashtu siç ka thënë Allahu i Madhërishëm:

‘‘Dhe me të vërtetë që Ne kemi çuar te çdo Ummet (popull) të Dërguar (duke shpallur): ‘‘Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe rrini larg Tagutit (gjithçka që adhurohet përvç e përkrah Allahut)’’’’ (16:36)

Dhe:

“Ne nuk kemi çuar ndonjë të Dërguar para teje (o Muhammed) e që të mos e kemi frymëzuar Ne (duke i thënë): La ilahe il-la Ene (nuk ka të adhuruar tjetër të merituar veç Meje -Allahu), kësisoj më adhuroni Mua të Vetëm (e askënd tjetër).’’ (21:25)

Dhe çdo i Dërguar i ka thënë popullit të tij:

“O populli im ! Adhuroni Allahun ! Nuk keni Ilah (të adhuruar, perëndi) tjetër veç Atij.’’ (7:59)

Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që ndjekin rrugën e të Dërguarve. Ata gjithashtu i japin Teuhidit rëndësinë që meriton dhe për këtë ata e fillojnë thirrjen e tyre me Teuhid.
Vërtetë qëllimi i krijimit tonë është terësisht i lidhur me adhurimin e Allahut, ashtu siç thuhet në Kur’an:

"Dhe Unë -Allahu- nuk i krijova xhindët dhe njerëzit, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua." (51:56)

Pra, nëse dikush nuk e adhuron Zotin dhe Krijuesin e tij - Allahun-, ose ai adhuron të tjerë përkrah Allahut, atëherë ai ka mohuar Teuhidin dhe ka kryer mëkatin më të madh tek Allahu.

Ka një keqkuptim të madh në mesin e shumë Muslimanëve dhe jo-Muslimanëve. Ata mendojnë se Teuhidi është thjesht për të afirmuar dhe njohur Zotërimin e Allahut, -sh.p: se Ai është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi, Mbrojtësi, Dhënësi jetës dhe vdekjes dhe Mbikqyersi Universit-, dhe ata pretendojnë se kushdo që pohon dhe e pranon këtë, e ka nënshtruar veten  ndaj Allahut dhe është besimtar Musliman.

Ky nocion i rremë e kufizon Teuhidin vetëm në veprat e Allahut. Ai është propaganduar - dhe vazhdon- në mënyrë aktive nga disa sekte muslimane. Ata nuk e dinë se Teuhidi që Allahu ka kërkuar nga secili prej Profetëve të Tij, si Ademi, Nuhu, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhammedi -Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata - ishte Teuhidi në veçimin e Allahut me gjithë llojet e adhurimit. Edhe idhujtarët në kohën e Profetit pohuan se Allahu është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi, Dhënësi i jetës dhe vdekjes, por ata ia atribuan adhurimin të tjerëve pos Tij. Pra, thjesht pohimi dhe njohja e një Zoti dhe Krijuesi nuk u bëri atyre dobi. Allahu, i Lartësuar, thotë në lidhje me këtë:

‘‘Thuaju (O Muhammed): ‘‘Kush ju sjell furnizim nga qielli dhe nga toka ? Dhe kush është Zotëruesi i të dëgjuarit dhe të shikuarit ? Dhe kush e nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla ? Dhe kush është rregulluesi dhe sunduesi i të gjitha çështjeve? ’’Do të thonë të gjithë, ‘‘Allahu.’’ Thuaju: ‘‘A nuk do të keni atëherë frikë nga Ndëshkimi i Allahut (për ata që i bashkoni Atij në adhurim)?’’ (10:31)

Pra, pika e mosmarrëveshjes mes të Dërguarit të Allahut, Muhammedit dhe adhuruesve të idhujve dhe varreve nuk ishte për shkak të mohimit të tyre se Allahu është Zoti dhe Krijuesi, por për shkak se ata refuzonin për ta drejtuar adhurimin e tyre ndaj Allahut, ose ata e ndanin adhurimin e tyre mes Allahut dhe idhujve të tyre e të vdekurve. Mirëpo kjo pikë është neglizhuar nga shumë sekte bashkëkohore në Fënë Islame.

Disa muslimanë dhe hoxhallarë në këto kohë në mënyrë të gabuar thonë: se ata që u luten të vdekurve në varret e tyre dhe që kërkojnë ndihmë dhe shpëtim prej tyre nuk kanë kryer vepër politeizmi (Shirk), sepse ata nuk besojnë se të vdekurit krijojne, apo kontrollojnë universin dhe për sa kohë që ata nuk e besojnë këtë, atehere keta hoxhallare nuk i konsiderojnë veprat e tyre  idhujtari. Ata pretendojnë se këto gjëra që ata iu luten përkrah Allahut, qofshin ata Profetë, Melaike, Eulija dhe të tjerë, janë thjesht vetëm ndërmjetësues për ndërmjetësim mes tyre dhe Allahut.

Ata pohojnë në shkrimet dhe ligjëratat e tyre se: "Ne vetëm u lutemi eulijave dhe profetëve, sepse ata janë ndërmjetësues për ndërmjetësim mes nesh dhe Allahut,"

Themi se ky pretendim i tyre është i njëjtë me pretendimin e idhujtarëve në kohën e të Dërguarit të Allahut, Muhammedit . Allahu thotë në Kur’an se politeistët thanë për idhujt e tyre:

"Ne i adhurojmë ata vetëm që ata të mund të na afrojnë tek Allahu." (39:3)

Dhe Allahu i lartësuar, tha për idhujtarët:

‘‘Dhe -ata- adhurojnë në vend të Allahut gjëra që as i dëmtojnë dhe as u sjellin dobi dhe thonë: ‘‘Këta janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu.’’(10:18)

Në këtë kohë ne gjejmë Muslimanë që bien në këto mëkate, e që janë mëkate prej mëkateve më të mëdha, dhe ata thonë: "Lutjet tona tek varret dhe lidhja jonë me të vdekurit duke kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e tyre nuk është politeizëm, por është një formë për tu afruar te Allahu, dhe ne nuk kërkojmë prej tyre vetëm se ndërmjetësimin, sepse ata janë eulija të Allahut. Dhe ata nuk janë asgjë me shumë se ndërmjetësues. Dhe kjo nuk është shirk (politeizëm), pasi shirk është të besosh se ka një krijues ose mbikqyrës tjetër pos All-llahut."

Ne duhet të kuptojmë se kjo thënie e tyre është identike e njëjtë me atë të politeistëve të vjetër sikurse e përmendëm në ajetet e mësipërme Kur’anore.

Një tjetër dyshim që ne ndonjëherë dëgjojmë është: "Kjo që ne ju lutemi të vdekurve dhe kërkojmë ndihmë prej tyre, nuk do të thotë që ne po i adhurojmë ata" Atëherë kjo thënie e tyre është në kundërshtim me ajetet Kur’anore.

Allahu thotë:

‘‘Dhe vërtetë që xhamitë janë për Allahun (të Vetëm), kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun.’’ (72:18)

Allahu thotë:

‘‘Dhe kushdo që lut (ose adhuron) në vend të Allahut çdo ilah (zot) tjtër për të cilin nuk ka asnjë prove, atëherë llogaria e tij është vetëm te Zoti i tij.Vërtetë që Kafirët (mohuesit e Njësisë së Allahut, politeistët, paganët) nuk do të kenë kurrë sukses’’ (23:117)

 Pra, ne jemi të urdhëruar t’ia kushtojmë të gjitha aktet e adhurimit tonë vetëm Allahut, dhe kjo është për shkak se Ai është Krijuesi i Vetëm, Furnizuesi, Dhënësi i jetës dhe vdekjes.

Allahu thotë:

‘‘O njerëz ! Adhuroni Allahun, Zotin tuaj, i Cili ju krijoj ju dhe ata që qenë para jush, që të mund të bëheni të përkushtuar (El-Muttekunë). I Cili e ka bërë tokën vend pushimi për ju dhe qiellin me kupë si mbulesë duke dërguar që andej ujë për të prodhuar fruta si furnizim për ju. Atëherë pra, mos i vini shokë Allahut (në adhurim) kur ju e dini (se vetëm Ai ka të drejtë të adhurohet e askush tjetër).’’(2:21-22)

Ky ajet shfaqet shumë herët në Ku’ran dhe përmban urdhrin e parë të drejtpërdrejtë për njerëzimin. Dhe ky urdhër i drejtohet gjithë njerëzimit për ta adhuruar vetëm Atë si Zot dhe Krijues të tyre, të vetëm pa i shoqëruar Atij asnjë shok. Ky ajet përmend disa nga veprimet e Allahut, dhe këto veprime përbëjnë Sundimin dhe Zotërimin e Tij të vetëm, dhe janë këto vepra të Zotit tonë që përcaktojnë arsyen se pse ne duhet ta adhurojmë vetëm Atë, pa partnerë apo bashkëpunëtorë.
Pra, ne e adhurojmë dhe i lutemi vetëm Atij -Allahut- dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë, shpëtim, strehim, pasi ato hyjnitë e tjera që thirren nuk na kanë krijuar ne dhe as nuk na mbështesin dhe as që na dërgojnë shiun dhe as nuk na i sjellin të lashtat. Atëherë, pse ne duhet të kërkojmë ndihmën e Profetit për ndihmë ose ndërmjetësim, kur ne mund t’i lutemi Atij që e krijoi atë?
Përse o njerëz t’i drejtojmë lutje eulijave, banorëve të varreve, melaikeve apo xhindëve, kur ne mund t’i lutemi Atij që i krijoi ata? Vërtetë Allahu ka urdhëruar në Kur'an që ne të mos i kërkojmë dhe lutemi askujt tjetër përveç Tij.

Allahu thotë: Dhe Zoti juaj thotë:

‘‘M’u lutni Mua (më adhuroni Mua Një të Vetëm dhe kërkëni ç’të doni vetëm tek Unë), Unë do t’ju përgjigjem (për lutjet që më bëtë Mua). Me të vërtetë se ata të cilët e përbuzin adhurimin ndaj Meje (nuk më luten Mua, nuk më besojnë vetëm Mua një e të Vetëm, nuk besojnë në Fenë Time, në Islam), ata padyshim që do të hyjnë në Xhehennem me poshtërim!’’(40:60).

Dhe Allahu thotë në një ajet tjetër:

‘‘Dhe nga shenjat e Tij janë nata dhe dita edhe dielli dhe hëna. Mos u bini në sexhde (në adhurim) as diellit e as hënës, por bini në sexhde (në adhurin e me nënshtrim) vetëm ndaj Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtet që adhuroni Atë.’’ (41:37)

Ky ajet sqaron se veprat e dukshme të adhurimit sikurse sexhdeja dhe rukuja janë e  drejtë vetëm e Allahut, dhe nuk janë për t’iu drejtuar as diellit, hënës, melaikeve, profetëve, varreve ose paraardhësve të dikujt. Profeti Muhammed në mënyrë të specifikuar ka thënë:

"Mos e merrni varrin tim si një vend adhurimit." (Buhari - Muslim)

Adhurimi në fenë Islame përfshin të gjitha ato vepra që Allahu i do dhe është i kënaqur me to, si fjalë dhe vepra, qofshin të brendshme në zemër ose të jashtme në gjuhë dhe gjymtyrë. Pra, ne jemi urdhëruar t’ia drejtojmë të gjitha adhurimet tona vetëm Allahut. Muslimani, i cili është obliguar për t'u falur pesë herë në ditë, dëshmon në çdo rekat të namazit të tij:

“Vetëm Ty (O Allah) të adhurojmë dhe Vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).” (1:5)

Profeti ka thënë:

"Du’aja (lutja) është prej adhurimit."(trs, Ebu Davudi në Sunan).

Gjithashtu prej adhurimit është që të kesh besim dhe mbështetje të plotë te Allahu, kështu që Feja Islame e ndalon mbështetjen në hajmalitë dhe simbolet për fat të mirë, besëtytnitë dhe falltorët, sepse të gjitha këto çështje anullojnë plotësisht mbështetjen dhe besimin në Allahun. Si Muslimanë ne besojmë se Allahu është Kontrolluesi i çdo gjëje, dhe: 

‘‘Asnjë fatkeqësi nuk bie, por vçse me Lejen e Allahut dhe kushdo që beson Allahun, Ai e udhëzon zemrën e tij. Dhe Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.’’ (64:11).

Mbajtja e hajmalive është ndaluar nga Profeti , në thënien e tij:

"Kush mbart hajmali ka bërë Shirk." (trs Ahmed në el-Musned).

Dhe është transmetuar se një nga shokët e Profetit , Hudhejfeh (Allahu qoftë i kënaqur me të) pa një burrë që mbante në krahun e tij një bylyzyk si mbrojtje nga ethet, atëherë ia hoqi dhe ia preu atë. (trs. Ibn Ebi Hatim në Tefsirin e tij). Pra, nga ajo që kemi përmendur më lart, kuptojmë se neve nuk na lejohet që të shkelim asnjë prej të drejtave që i takojnë Allahut. Për shembull, nuk i lejohet askujt të pretendojë që ka dijeni për të fshehtën dhe të ardhmen, sepse i Dituri i të fshehtës është vetëm Allahu. Kështu që nuk lejohet për të shkuar tek magjistarët dhe fallxhorët apo astrologët dhe lexuesit e filxhanëve.

Profeti Muhammed , ka thënë:

"Kush shkon tek një fallxhor ose magjistar dhe e beson për atë që ai thotë, në të vërtetë ka mohuar atë që i është zbritur Muhammedit ." (Ebu Davudi 3904)

Dhe pikërisht për këtë, Allahu thotë:

‘‘Dhe vetëm me Të (Allahun) janë çelësat e Gajbin (gjithçka të fshehtë e të panjohur), askush nuk i di përveç Atij.” (6:50)

Dhe:

‘‘Vërtetë që Allahu ! Vetëm tek Ai është dija e Orës (e Kiametit) ; Ai zbret shiun dhe di se çfarë ka në mitra. Askush nuk e di se ç’do të fitojë e ç’do t’i ndodhë nesër dhe askush nuk e di se në ç’tokë (ç’vend) do të vdesë. Me të vërtetë që Allahu është i Gjithëditur, i Mirënjohur (për çdo gjë).’’ (31:34). -Elhamdulil-llah-.

-Prej këtij diskutimi të shkurtër, lexuesi mund të kuptojë pse Selefitë -Ehlus-Sunneh uel Xhema’ah- i japin kaq shumë rëndësi dhe pozitë Teuhidit. Teuhidi është të veçosh Allahun, të vetëm me adhurim me gjithë llojet e adhurimit, dhe ndalimin absolut të adhurimit të dikujt tjetër përveç Tij.

I Dërguari Allahut, Profeti Muham-med ka thënë:
”E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ata ta veçojnë Atë të vetëm me adhurim dhe kurrë të mos i shoqërojnë Atij dikë tjetër në adhurim’’


Përmblodhi: Abu Khadeejah Abdul-Wahid -hafidhahullaah- mësues në Selefi Mesxhid Birmingam Twitter @AbuKhadeejahSP
Përshtati me lejen e autorit: Abu Yusuf al-Albani –Arbrit Kraja- Twitter @Arbrit_Kraja

Shkodër 18 Rabi’ al-Thani 1438 AH. 15.1.2017

Për më shumë informacion vizitoni: | Esselefussalih.com TawhidFirst.Com | Aqidah.Com | Abukhadeejah.com | SalafiBookstore.com  | Salaf.com | Troid.ca | SalafiSound.Com | Sharia.ws |


Ky material printohet dhe shpërndahet nga Mesxhid ‘UTHMAN IBN AF-FAN’ (Shoqata Edukimi) Shkodër. Nuk lejohet botimi apo printimi i këtij materiali pa lejen paraprake të përkthyesit. e-mail: jusufal-albani@hotmail.com

Sunday, September 25, 2016

Shejkh Muhammed Ibn Hadi el-Medhkali | A del personi prej Selefizmit kur ai rren për dijetarët?

esh-Shejkh, Allameh Muhammed Ibn Hadi el-Medk'hali hafidhahullaah.

Pyet: A del personi prej Selefizmit kur ai rren për dijetarët?

Shejkh Muhammed Ibn Hadi el-Medk'hali hafidhahullaah, përgjigjet.

I themi: Jo, ai nuk del prej Selefizmit, por ai është një Selefi i lig (faasikan), rrencak (kedh-dhaben).

Lajmet që ai përcjell nuk përdoren për argument -dëshmi-, dhe as fjala e tij nuk pranohet; ky është një përson i pabesueshëm.

Përshtati: Abu Yusuf al-Albani
Mesxhid ‘UTHMAN IBN AF-FAN’
A’Shkodera Albania 23 Dhul Hixheh 1437

Tuesday, September 20, 2016

Gjykimi i Fesë Islame mbi mbartjen e nuskave, hajmalive dhe yshjeve

Gjykimi i Fesë Islame mbi mbartjen e nuskave, hajmalive dhe yshjeve (varseve dhe bylyzykëve)  

Të gjitha falenderimet i takojnë vetem Allahut, Zotit të Gjithësisë, Zoti i Nuhut, Ibrahimit, Musait, Isait dhe Muhammedit. Paqja dhe bekimet e Allahut qoftë mbi të gjithë ata.

Në vijim:                          Mesazhi i Fesë Islame:

Aspekti më i rëndësishëm i Fesë Islame dhe baza e tij më madhështore është thirrja për në adhurimin e Allahut, Zotin e Gjithësisë, Një të vetëm pa i bërë Atij shok në çdo aspekt të adhurimit. Kjo ishte pika e fillimit të thirrjes së të Dërguarve nga Nuhu te Musai, Isai dhe në fund Muhammedi (صلى الله عليه و سلم). Thotë Allahu i Madhërishëm: "Ne kemi çuar te çdo Ummet (popull, komb) të Dërguar (duke shpallur): “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg Tagutit (gjithçka që adhurohet përveç e përkrah Allahut)" (Ku’rani. 16:36)

Gjykimi i Fesë Islame mbi mbajtjen e nuskave, hajmalive dhe yshjeve (varseve dhe bylyzykëve)

Praktika për shkrimin e ajeteve Kur'anore, duave, dhikrit apo emrave të Allahut në copa letre apo lecka dhe për t'i vendosur ata në trup në formë gjerdani, bylyzyku, varseje etj, nuk është transmetuar nga Profeti  (صلى الله عليه و سلم) e as nga shokët e tij. Çdo musliman e di që shembulli më i mirë për t'u ndjekur është vetë Profeti (صلى الله عليه و سلم). Pra, nëse Profeti dhe shokët e tij nuk i kanë përdorur hajmalitë si një mjet për mbrojtje apo për të larguar të keqën, ose si një mjet për të sjellë mirë, atëherë asnjë musliman pas tyre nuk ka pse duhet t’i përdori ato. Feja Islame është plotësuar dhe përsosur nga Allahu i Lartësuar.
Allahu i Lartësuar, thotë në Kur’an: 

“Këtë ditë Unë e përsosa fenë tuaj për ju, plotësova Mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin si fe.” (Ku’rani 5:3)

Një fe që është e plotësuar dhe e përsosur nuk i nevojiten risi, rituale apo adhurime të reja. Falënderimet i takojnë vetëm Allahut që ju mjaftoi muslimanëve me atë që është shpallur në Kur'an dhe në Sunnetin Profetik, dhe askush nuk i ka kuptuar këto dy shpallje më mirë sesa shokët e tij, Sahabët.
Gjithashtu, Profeti (صلى الله عليه و سلم) ka thënë:

“Kush vepron një vepër që nuk është në përputhje me Fenë tonë, atëherë ajo është e refuzuar.” (trs: Buhari - Muslim)

Ky hadith është argument se një vepër adhurimi nuk mund të veprohet përderisa nuk është e mbështetur me evidencë (nass) nga Kur’ani dhe Sunneti, sipas kuptimit të Sahabëve. Shpeshherë njerëzit mundohen t’i përdorin ajetet Kur’anore dhe hadithet profetike jashtë kontekstit për të mbështetur risitë e tyre në fe, por është kuptimi i Sahabëve që e shfaq (e bën të dukshëm) gabimin e tyre. Njeriu duhet që gjithmonë të pyesi: “A e kanë bërë Sahabët atë cfarë ne jemi duke thirrur për ta bërë?” nësë përgjigjja është: “Jo, ata nuk e kanë bërë”, atëherë as ju mos e bëni atë vepër. Në lidhje me Sahabët RadijAll-llahu anhum, Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an (2:137)

“Kështu pra, nëse ata besojnë kësisoj, ashtu sic besoni ju (o shokët e Profetit), atëherë ata janë të udhëzuar (në Rrugë të Drejtë), por nëse ata shmangen, atëherë ata janë në kundërshti me të vërtetën e të shmangur prej saj.”

Kështu që ndjekja dhe pasimi i Sahabëve është detyrim. Nuk ka dyshim që Profeti (صلى الله عليه و سلم) e ka lejuar rukjen që t’i recitohet një përsoni që është i prekur me sëmundje nga syri i keq ose magjia. Kjo bëhët nëpërmjet recitimit të Kur’anit ose (duave), por ai (صلى الله عليه و سلم) kurrë nuk ka urdhëruar vendosjen apo varjen e hajmalive me ajete Kur’anore nëpër trup, apo në kafshën e udhëtimit, apo në shtëpi dhe vende pune. Nuk ekziston asnjë transmetim i saktë për lejueshmërinë e përdorimit të tyre. Profeti (صلى الله عليه و سلم) ka thënë: 

“'M'i tregoni  mua ato rukjet tuaja që t'i shoh. S’ka dëm në rukje përderisa nuk përmbajnë shirk.” (trs:Muslimi, nr.200)

Dijetarët kanë rënë dakort që rukjet janë të lejuara për sa kohë ato i përmbahen kritereve te lartpërmendura, dhe se personi beson që rukja është një formë që do të sjellë dobi vetëm se me lejen dhe caktimin e Allahut. Është transmetuar se Profeti (صلى الله عليه و سلم) i është lutur Allahut që t’ia mbrojë dy nipërit e tij, Hasanin dhe Hysejnin duke thënë: 

“Unë i lutem Allahut për ju me Fjalët e Tij më të Përkryera, që t’ju mbrojë ju nga cdo shejtan, egërsirë e keqe dhe prej cdo syri të keq.” (trs. Et-Tirmidhi, Ebu Davud)

Prej kësaj duhet të jetë e qartë që varja e ajeteve Kur’anore dhe duave në trup etj, është një vepër -bidat- e ndaluar, për të cilën nuk ka asnjë argument të saktë nga Kur’ani dhe Sunneti Profetik. Nëse dikush dëshiron që të kërkoje mbrojtje, ai duhet të recitojë nga Libri i Allahut dhe duatë autentike. Ndërsa për atë cfarë ndodh zakonshëm në shumë komunitete muslimane ku njerëzit varin hajmali, nuska ose varëse që nuk janë nga Kur’ani, atëherë kjo është edhe më e rrezikshme, sepse ajo konsiderohet Shirk (sh.p. një formë e politeizmit). Dhe në një transmetim tjetër, Profeti (صلى الله عليه و سلم) ka thënë: 

“Ai që mbart hajmali, ka bërë shirk.” (Es-Sahehah” nr. 492)

Gjithashtu Profeti (صلى الله عليه و سلم) ka thënë: 

“Të mos mbetet asnjë gjerdan, qafore prej litarit në qafën e ndonjë deveje, përvecse të këputet ajo dhe të largohet prej aty.” (trs: Buhari Muslim)

Këtu i Dërguari i Allahut (صلى الله عليه و سلم) urdhëron që hajmalitë të largohen. Ruwejfi’ ka thënë: se i Dërguari Allahut (صلى الله عليه و سلم) me tha mua: “O Ruwejfi’, ndoshta do të jetosh shumë gjatë, kështu që pasi të jetosh gjatë, lajmëroji njerëzit se ai i cili e lidh nyje mjekrën e tij, apo e lidh si (hajmali) qafore / gjerdan litarin, apo pastrohet prej nevojave fiziologjike përmes bajgave të kafshëve, apo me asht (kockë), atëherë njoftoi njerëzit se kush vepron kështu, Muhammedi (صلى الله عليه و سلم) është i distancuar prej tij.”  (trs: Ebu Daud, Sahih El-Xhami nr 7910)

Gjithashtu i Dërguri Allahut (صلى الله عليه و سلم) ka thënë: “Kush var dicka (si hajmali) lihet në dorën e saj.” (trs. Ahmed dhe Et-Tirmidhi) Dhe në një transmetim tjetër thuhet: “Ai i cili e lidh një gjë, (pavarësisht cfarë është ajo, e lidh atë në trupin e tij dhe zemrën e tij e lidh për atë gjë), atëherë ai lihet nën kujdesin e asaj gjëje.”

Se’id ibn Xhubeir thotë: “Ai i cili e këput një hajmali prej një përsoni e ka shpërblimin sikur me liru një rob.” trs nga Waki’. Kuptimi "sikur me liru një rob", është, se ajo -këputja e hajmalisë- është e barabartë me atë në shpërblim. Shejkh Abdul-‘Aziz Ibn Baz –Allahu e Mëshiroftë- në komentin e tij në këtë pikë ka thënë: "Kjo në realitet është se ai do ta lirojë këtë rob nga zjarri, dhe liria nga shirku është më e mirë sesa liria nga robëria" Shejkh Ahmed En-Nexhmi –Allahu e Mëshiroftë- ka thënë: "Prej kësaj që parapriu ne dimë që disa njerëz varin hajmalitë në vetet dhe fëmitë tyre - dhe zemrat e tyre janë të lidhura me këto hajmali duke besuar që ato mund të largojnë sëmundjet dhe syrin e keq …etj prej tyre. Sa shumë njerëz kemi parë që janë të lidhur me këto hajmali? Dhe sikur ju ta provonit për t’ja hequr hajmaline njërit prej tyre, ai mendon se ju jeni duke e hedhur atë drejt vdekjes se tij! Disa njerëz u varin kafshëve, mjeteve, shtëpive, etj. të tyre hajmali duke pretenduar se ata jane shkak per të larguar syrin e keq dhe xhindet. Të gjitha këto janë të palejueshme për një musliman që të merret me to, sepse këto janë lidhje dhe mbështetje në dicka tjetër pos All-llahut të Lartësuar. "Nga ky diskutim i shkurtër, duhet të jetë shumë e qartë- për këdo që dëshiron të ndjekë argumentet- se mbajtja e hajmalive dhe nuskave (simboleve) nuk është prej udhëzimit të fesë Islame. Vërtetë këto hajmali vetëm që ia shtojnë personit dobësinë. I Dërguari i Allahut (صلى الله عليه و سلم) pa një burrë që mbante një bylyzyk bronxi.


Kështu që ai (صلى الله عليه و سلم) e pyeti: "çfarë është kjo?”,  ai u përgjigj: "Se ai e mbante për t’a mbrojtur atë nga një sëmundje që e dobësonte." Kështu që i Dërguari i Allahut (صلى الله عليه و سلم) i ka thënë: “Hiqe këtë prej trupit tënd, se kjo nuk ta shton përvecse dobësi”, dhe i ka thënë: “Nëse ti vdes me këtë gjë në trupin tënd, ti kurrë nuk ke për të shpëtuar” (trs. Ahmed, Ibn Hiban dhe e saktësoi El-Hakim, dhe Edh-Dhehebiu ka rënë dakort) 

Fallxhorët, Magjistarët dhe Astrologët.

Muslimanit nuk i lejohet që të shkojë te fallxhorët –ata që lexojnë filxhanin- dhe magjistarët, te ata që pretendojnë se kanë dije për të fshehtën dhe të ardhmen. Profeti (صلى الله عليه و سلم) ka thënë:

"Kush shkon tek fallxhori dhe e pyet atë për ndonjë gjë, namazi i tij nuk do të pranohet për dyzet ditë." (Muslimi 2230)

Gjithashtu në një hadith tjetër të saktë transmetohet se Profeti (صلى الله عليه و سلم) ka thënë: 

"Kush shkon tek një fallxhor ose magjistar dhe e beson për atë që ai thotë, në të vërtetë ka mohuar atë që i është zbritur Muhammedit (صلى الله عليه و سلم)." (Ebu Davudi 3904)

Fallxhorët marrin frymëzim nga xhindët, pa marrë parasysh nëse ata e perceptojnë atë apo jo. Në një hadith të saktë nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, transmetohet se Profeti (صلى الله عليه و سلم) ka thënë:

“Kur All-llahu vendos për një çështje në qiell, Melekët i rrahin krahët e tyre si nënshtrim për Fjalën e Tij, si të jetë ai (zëri i Fjalës që dëgjohet) si një zinxhir që tërhiqet mbi shkëmbinj të lëmuar -duke arritur ky zë tek të gjithë- dhe duke bërë që ato të jenë të tmerruar.” “…Dhe kur u largohet Melekëve frika, ata pyesin Xhibrilin alejhi selam: “Çfarë ka thënë Zoti ynë o Xhibril?” dhe Xhibrili thotë: “(Zoti ynë) Ka thënë të vërtetën! Dhe Ai (All-ll ahu) është më i Larti dhe më i Madhi.” Ndërkohë xhindët e dëgjojnë atë vjedhurazi, dhe ata rrinë njëri mbi tjetrin kështu i pari dëgjon një fjalë dhe ja përcjell atij që ndodhet poshtë tij, pastaj ky ia thotë tjetrit më poshtë, e kështu me rradhë, derisa i fundit i tyre e dërgon fjalën në gjuhën e magjistarëve ose fallxhorëve. Shpeshherë shkëndija (rënia e yjeve) mund ta godasë Xhindin e keq para se ai të përcjellë fjalën, por ndonjëherë ai mund ta përcjellë atë edhe para se të goditet, pastaj falltari ose magjistari i shton asaj –fjale- njëqind gënjeshtra. Pas kësaj, njerëzit, duke përmendur arsyen pse u besojnë fallxhorëve, thonë: “A nuk na tha një ditë kështu e kështu?” Kështu -që njerëzit i besojnë fallxhorët- për shkak të fjalës që u dëgjua nga qielli.” (trs: Buhari nr 4701)

Nga ky transmetim i saktë, në mënyrë të qartë shpjegohet se si fallxhorët e marrin informacionin e tyre, edhe pse lajmi që ata marrin është i paqartë, dhe kryesisht i pavërtete. Megjithatë, shumë njerëz në naivitetin e tyre mbajnë mend të vetmen thënie të vërtetë nga njëqind gënjeshtra dhe kështu ata zhvillojnë një varësi të rrezikshme me fallxhorin, i cili si shkëmbim merr para nga klientët e tij. Nuk është e pazakontë që në këto kohë të shohësh fallxhorët duke e përshkruar vetveten e tyre në Islam, të cilët e shfaqin në pamje të jashtme devotshmërinë. Ata përfitojnë nga muslimanët e paditur, që nuk e dinë seriozitetin -rëndësinë- e kësaj cështjeje. Prandaj një muslimanit i kërkohet të dijë për besimin Islam dhe gjithashtu të dije atë cfarë e kundërshton atë. Është obligim për t’ju përmbajtur udhëzimit të Profetit (صلى الله عليه و سلم) në qëndrimin larg nga këto çështje që kundërshtojnë besimin e njeriut ndaj All-llahut, të Madhërishmit të Lartit. Askush nuk e di të fshehtën, ose të ardhmen, përveç All-llahut, ashtu siç Ai e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij (صلى الله عليه و سلم) për të shpallur: 

Thuaj (O Muhammed (صلى الله عليه و سلم)) . :“Unë nuk ju them se unë kam Thesaret e Allahut, as edhe që di Gajbin (të fshehtën, të panjohurën) : nuk ju them as edhe se unë jam melek. Unë vetëm ndjek cfarë me shpallet mua (me Frymëzim Hyjnor).” (Kur'an 6:50)

Allahu i Lartësuar, gjithashtu thotë: “Të pyesin ty (Muhammed (صلى الله عليه و سلم)) për Kijametin, -kurë do të jetë casti i përcaktuar për të ? Për të cilën ti nuk ke asnjë dije të thuash ndonjë gjë. Zotit tënd i përket dija e përcaktimit të saj. Ti (Muhammed (صلى الله عليه و سلم)) je vetëm këshillues i atyre që i frikësohen asaj.” (Kur’an 79: 42.45)

Pra, nëse vetë Profeti i Allahut (صلى الله عليه و سلم) nuk e ka ditur të fshehtën, kështu që si mund ta dije dikush tjetër përveç tij?! Çdo informacion që i Dërguari i Allahut (صلى الله عليه و سلم) përcolli për të fshehtën, si Xhehennemi, Xhenneti dhe shenjat e Kijametit të gjitha këto ishin me anë të shpalljes nga Allahu i Lartësuar. Askush nuk mund të pretendojë që ka marrë shpallje pas vdekjes së tij (صلى الله عليه و سلم). Çdokush që pretendon që ka dije për të fshehtën e ka kundërshtuar Kur'anin, Sunnetin dhe konsensusin e Ehlus-Sunneh uel-Xhemah të gjeneratave të hershme -ata kanë pohuar një të drejtë që është vetëm për Allahun, të Lartësuarin, sepse Ai është i Vetmi që e di të fshehtën. Për më tepër, fallxhorët dhe magjistarët kërkojnë ndihmën e shejtanëve nga mesi i xhindëve për të arritur qëllimet e tyre -dhe ky është mosbesim i qartë. Kështu o Musliman qëndroni larg këtyre njerëzve dhe metodave të tyre dhe besoni vetëm në All-llahun e Lartësuar, kërkoni vetëm ndihmën e Tij, shpëtimin e Tij dhe kërkoni mbrojtje vetëm nga Ai, dhe Ai (All-llahu) do t’ju japë ju lehtësim dhe rrugëdalje për vështirësitë tuaja.

Përmblodhi: Abu Khadeejah Abdul-Wahid  hafidhahullaah
Twitter @AbuKhadeejahSP Mesues ne Salafi Publications.

Përshtati me lejen e autorit: Abu Yusuf al-Albani kontribues ne Mesxhid ‘Uthman Ibn AF-FAN’ @Qendra_Selefije  Shkoder Twitter @Arbrit_Kraja
Shkoder 10 Dhul Hixhah 1437 AH. www.esselefussalih.com

Për më shumë informacion në anglisht dhe shqip vizitoni: TawhidFirst.Com | AbuKhadeejah.com | Aqidah.com | SalafiSound.com | Barelwis.com | SalafiBookstore.com | Salaf.com | Troid.ca | Esselefussalih.com |
Ky material u printua dhe u shpërnda nga Mesxhid 'UTHMAN IBN AF-FAN' radijAll-llahu anhu Shkodër.

Nuk lejohet editimi, botimi apo printimi i këtij materiali pa lejen paraprake të përkthyesit. Kontakt: jusufal-albani@hotmail.com


Donacionet tuaja janë të mirëpritura për të ndihmuar në botimin dhe shpërndarjen e më shumë fletushkave falas. Mund të kontriboni në PayPal; email: jusufal-albani@hotmail.com