Sunday, February 5, 2012

I këshilloj të rinjtë që të mos ua vënë veshin dy dyshimeve: Shaykh Rabee al-Madkhalee

I këshilloj të rinjtë që të mos ua vënë veshin dy dyshimeve:

Dyshimi i parë: I lexojmë librat e bidatçive dhe ulemi t’i dëgjojmë ata, dhe e marrim të vërtetën e e lëmë të pavërtetën. Ky dyshim ka luajtur, siç thuhet, rol të rëndësishëm në gjuajtjen e shumë të rinjve – në nxjerrjen e tyre nga menhexhi selefi dhe hedhjen e tyre në prehër të njerëzve të së kotës dhe bidateve. I riu i mjerë i lexon librat e bidateve dhe nuk bën dot dallim mes së vërtetës dhe të kotës. Të vërtetën e sheh si të kotë dhe të kotën si të vërtetë. Kështu devijon.

Dyshimi i dytë: Mos i lexoni librat e refuzimeve! Librat e refuzimeve, librat e refuzimeve, librat e refuzimeve! Duan të thonë: I lexojmë librat e bidateve, librat e sulmeve dhe shpifjeve ndaj menhexhit selefi dhe njerëzve të tij, i dëgjojmë kasetat, i lexojmë të përfolurat, përgojimet dhe manipulimet, e bëjmë veten si mjete të pranimit (receptorë) për të gjitha këto gjëra; mirëpo nuk i shikojmë librat e refuzimeve. Pse? Sepse këta libra i demaskojnë. Ata i shkoqitin turpet e tyre dhe të rinjve ua mësojnë të vërtetën. Prandaj thonë: “Librat e refuzimeve, librat e refuzimeve, librat e refuzimeve!!!

Ftojnë të lexohen librat e bidateve duke e hedhur dyshimin se e marrim të vërtetën dhe e lëmë të kotën. Kështu i riu i mjerë shkon fli e të kotës, ngase ai nuk bën dot dallim mes të vërtetës dhe të kotës. Kështu të vërtetën e sheh si të kotë dhe të kotën si të vërtetë. Përmes kësaj ata kanë arritur të kapin në rrjet një numër të rinjsh, të cilin nuk e di kush veç All-llahut, që i atribuoheshin menhexhit selefi. Ky është një ndër kurthet e tyre që ju largon nga përforcimi në të vërtetën, nga thirrja kah e vërteta dhe nga lufta kundër të kotës. Librat e refuzimeve janë përplot dije. Dijen e gjallë dhe pulsuese, e cila e dallon të vërtetën nga e pavërteta, e gjeni vetëm në librat e refuzimeve.

Kur’ani, pasha All-llahun, i refuzon njerëzit e kufrit dhe devijimit. I refuzon hipokritët, çifutët dhe të krishterët. Nuk ka devijim që nuk është asgjësuar dhe nuk është sqaruar gabimi i pasuesve të tij në Kur’an. Në Sunnet, gjithashtu. Menhexhi i selefëve është përplot. Librat e akides, librat e xherh ue ta’dilit janë përplot me kritika dhe refuzime kundër njerëzve të së kotës, ngase e vërteta dhe e pavërteta nuk dallohen pa kritikë dhe pa këto refuzime.

Lexojini librat e Ibën Tejmijes, librat e Ibnul Kajjimit dhe librat e selefijve bashkëkohorë, të cilët luftojnë – në dashtë All-llahu – në Rrugën e All-llahut, e mbrojnë thirrjen për tek All-llahu, i pengojnë të rinjtë e Ummetit nga fitnet që ndodhin, ua sqarojnë atyre rrugën e Islamit të vërtetë që ta dallojnë nga rruga e devijimit dhe e demaskojnë turpin e prijësve të bidateve dhe devijimit. Dijeni se çfarë qëllimi kanë ata me luftën kundër librave të refuzimeve!

Mësojeni dijen dhe mos kurseni asgjë në nxënien e dijes. Përvishjuni mirë dhe seriozisht mësimit të dijes. Një gjë që ju ndihmon për kuptimin e dijes së vërtetë, është leximi i librave të refuzimeve. Ata janë një pjesë e rëndësishme e nxënies së dijes. Ai që nuk i njeh librat e refuzimeve, madje edhe nëse ka shumë dije, përsëri do të jetë i lëkundur – All-llahu ju bekoftë!

Kemi parë shumë veta që kanë dije e më vonë kanë rënë në devijim. Mos e harroni historinë e AbdurRezzakut! Mos e harroni historinë e Bejhekiut! Mos e harroni historinë e Ebu Dherr elHeraviut! Ata ishin dijetarë të mëdhenj. Mirëpo, një dyshim i vetëm të hedh në prehrin e bidatçinjve, All-llahu na ruajttë!

AbdurRezzaku u shoqërua me një që kishte më pak dije se ai dhe vazhdoi deri sa e hodhi në shiizëm. Ebu Dherri nga një fjalë që e dëgjoi, të cilën e kishte thënë një nga esh’arijtë, ra në devijim. Bejhekiu u mashtrua pas disa prijësve të devijimit dhe ra në esh’arizëm. E të tjerë, e të tjerë...

E sa u përket të këtillëve në kohën tonë, nuk numërohen ata që ishin në Sunnet (ose dijetarët ose nxënësit e dijes), e më pas devijuan për shkak të një dyshimi nga dyshimet, metodat dhe kurthet që i hedhin armiqtë, saqë i penguan nga menhexhi i drejtë i All-llahut. Madje, ata i bënë ushtri për luftë kundër menhexhit selefi dhe njerëzve të tij.

Ju porosis të jeni të qëndrueshëm. Tani do të pushoj, pasi jua numërova shkaqet e devijimit. Kuptojini këto, o vëllezër! Ju inkurajoj të jeni të qëndrueshëm, të kërkoni dije dhe të jeni të sinqertë me All-llahun, Zotin e botëve. Ju i dini ajetet dhe hadithet që nxisin për sinqeritet dhe që ndalojnë nga dëshira për t’u parë dhe për famë, ose të ngjashme...

Salavatet, selamet dhe bekimet e All-llahut qofshin me robin dhe të dërguarin e Tij Muhamedin, me familjen dhe me shokët e tij në përgjithësi!



Transkriptimi i marrë nga: http://www.albaidha.net/vb/showthread.php?t=36050

Përktheu: Xhemal N. Jakupi
10 Rabi’ul Evvel 1433h

No comments:

Post a Comment

Note: Only a member of this blog may post a comment.